Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për revoltë kombëtare për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Protesta është paralajmëruar të mbahet të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ku protestuesit pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, Kolektivi ka kritikuar institucionet e Kosovës për, siç thotë, shpërfilljen e jetës dhe sigurisë së grave.
“Vrasja me sopatë e një gruaje prej kunatit mbrëmë është alarmi për luftën që iu është shpallur grave. Sikurse rastet tjera të femicidit, kjo vrasje ishte paralajmëruar nga e ndjera, e cila e kishte lutur për ndihmë një shtet që është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave. Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësim të shtetit i cili nuk iu beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shoh parësisht si prona të burrave”, thuhet në thirrje.
Në këtë reagim, thuhet se sikurse në raste të tjera të femicidit, edhe vrasja e Zekajt ishte paralajmëruar nga vetë viktima, e cila kishte kërkuar ndihmë nga institucionet.
Sipas organizatës, dhuna ndaj grave lidhet me patriarkinë në shoqëri dhe me neglizhencën institucionale, për të cilën kërkon llogaridhënie.





