Demos udhëhiqet nga parimi i saktësisë përpara shpejtësisë. Këto standarde vlejnë për çdo anëtar të redaksisë dhe çdo përmbajtje që publikojmë.
Çdo lajm mbështetet në të paktën një burim të verifikueshëm. Pretendimet e palëve konfirmohen para publikimit; kur kjo nuk është e mundur, e themi qartë se cili pretendim i kujt është. Materialet nga rrjetet sociale verifikohen para se të citohen.
Gabimet i korrigjojmë menjëherë dhe në mënyrë të dukshme, në të njëjtin artikull. Për gabime thelbësore shtohet shënim korrigjimi me datë. Kërkesat për korrigjim: info@gazetademos.com
Vendimet editoriale merren vetëm nga redaksia. Reklamuesit dhe sponsorët nuk kanë asnjë ndikim në përmbajtje; çdo përmbajtje e sponsorizuar shënohet qartë "Reklamë".
Burimet anonime përdoren vetëm kur informacioni ka interes të qartë publik dhe identiteti i burimit duhet mbrojtur. Identiteti i tyre njihet gjithmonë nga redaksia.
Artikujt publikohen me emrin e autorit ose në emër të redaksisë (Demos). Në të dyja rastet, përgjegjësia editoriale mbetet e redaksisë.