Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë me një komunikatë, ku ka dhënë versionin zyrtar të këtij institucioni për veprimet e ndërmarra lidhur me rastin tragjik të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, në fshatin Vitomiricë të kësaj komune.
Sipas Prokurorisë, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët.
“Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.
Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës.” – thuhet në njoftim.
Në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit.
Në sqarimin e PTH thuhet se Prokurori kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm paraqet rrezik për sigurinë e Arlindës, prandaj është bërë e ditur se ishin ftuar familjarët e saj.
“Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.
Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.
Pavarësisht insistimit të viktimës për t'u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj.
Me kërkesën e shprehur të viktimës, prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.
Pas bisedimeve, viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t'u kthyer në shtëpinë e përbashkët.”
Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë.




