Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas dyshimeve të paraqitura në kërkesën e Prokurorisë Speciale, personat me incialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D dyshohen për pjesëmarrje në vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve në Zubin Potok.
Kërkesa për paraburgim është paraqitur në bazë të provave dhe të dhënave të mbledhura gjatë procedurës hetimore deri në këtë fazë.
“Prokuroria Speciale do të vazhdojë veprimet hetimore dhe procedurat në kuadër të kompetencave të saj ligjore, duke respektuar të drejtat e të gjithë personave të përfshirë në procedurë dhe konfidencialitetin e informacionit që nuk mund të bëhet publik në këtë fazë”,thuhet në njoftim.
Ndryshe gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok, nëntë persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, thanë autoritetet mëngjesin e së dielës. Operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”.



