Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do ta shpallin të martën, më 17 nëntor, aktgjykimin në rastin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Seanca është caktuar të fillojë në orën 10:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e Gjykatës Speciale, me një vonesë prej dhjetë minutash, raporton REL.
Përveç Thaçit, në këtë proces janë të akuzuar edhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Gjatë deklaratave përmbyllëse, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që Hashim Thaçi të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim.
Për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, Prokuroria ka kërkuar dënime prej nga tri vjetësh burgim, ndërsa për Hajredin Kuçin ka kërkuar nëntë muaj burgim.
Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit ka kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për ta mbështetur një vendim dënues.
Për çfarë akuzohet Thaçi?
Sipas aktakuzës, gjatë vitit 2023, Thaçi dyshohet se u ka dhënë disa vizitorëve në qendrën e paraburgimit në Hagë informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarë të Prokurorisë.
Prokuroria pretendon se ai, së bashku me persona të tjerë, është përpjekur të ndikojë në dëshmitë e disa dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.


