Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka komentuar qëndrimin e partisë së tij lidhur me projektligjin për Dhomat e Specializuara, pas kthimit të tij në Kuvend nga presidentja e Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Abdixhiku tha se në raste të rëndësishme për vendin duhet të mbizotërojë arsyeja.
“T’ju them “ju thamë”, nuk më duket që nuk ka vlerë shumë, më duket arrogante, por e vërteta është se ju thamë. Ndjej keqardhje që në momentet shumë të rëndësishme të vendit, euforia kolektive dhe zhurma po e mundin arsyen. Besoj se këto janë momentet kur duhet të jemi shumë më racionalë se si veprojmë tutje, edhe të kemi guximin të themi “mbreti është lakuriq ndonjëherë”, deklaroi Abdixhiku.




