Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj retorikës nacionaliste kundër Kosovës nga partitë politike në Serbi, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 tetorit.
Tahiri e ka cilësuar këtë gjuhë politike si antidemokratike dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, duke thënë se përmendja e Kosovës në fushata zgjedhore po përdoret për manipulimin e elektoratit serb.
Përmes një postimi, ai ka theksuar se kjo retorikë vjen si nga partitë në pushtet, ashtu edhe nga ato në opozitë.
“Retorika politike dhe elektorale në Serbi, si nga partitë në pushtet, e edhe nga ato në opozitë, ndaj Kosovës, jo vetëm që është antidemokratike dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe synimet evropiane që ky shtet pretendon t’i ketë, por është edhe një gënjeshtër dhe një mashtrim i hapur ndaj elektoratit në Serbi”, ka shkruar Tahiri.




