Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar presidentes Justina Shiroka-Pula që ta rikthejë Ligjin për Speciale për lexim të tretë në Kuvend.
Gazeta Nacionale ka mësuar se këtë kërkesë shefes së shtetit PDK-ja ia ka bërë sot.
Përmes kësaj kërkese, partia më e madhe opozitare ia ka treguar të pares së shtetit se pse ky ligj duhet të rikthehet edhe një herë për rishqyrtim në Kuvend.
Si nisi gjithçka?

Ditëve të fundit, presidentes i është shtuar presioni për shqyrtim sa më të shpejt të ligjit.
Një gjë të tillë, ditë më parë, e kishte kërkuar edhe iniciuesi i iniciativës “JO NË EMRIN TIM”, Çlirim Haziri.
Në një konferencë për media, ai e ka ftuar shefen e shtetit që t`i shikojë mirë nenet e këtij ligji.

“Sot kur ligji i miratuar në Kuvend ndodhet në Presidencë, kemi një mesazh të qartë. I bej thirrje presidentes së Republikës së Kosovës që ta shqyrtojë me kujdes dhe përgjegjësi të plotë këtë ligj. Nëse konstatohen dispozita që nuk janë në harmoni me Kushtetutën apo kanë çfarëdo problemi ligjor, kërkojmë që Presidentja ta ushtrojë kompetencën e saj kushtetuese dhe ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim. Nëse ka nevojë, të ndryshohet e të përmirësohet çfarëdo që duhet ndryshuar e përmirësuar, duhet të ndodh menjëherë”, ka deklaruar Haziri.
Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, presidenti mund ta kthejë ligjin në Kuvend nëse vlerëson se ai është i dëmshëm për interesat legjitime të Republikës së Kosovës.
Ligji duhet të kthehet brenda afatit ligjor prej 8 ditësh nga dita e pranimit të tij nga Kuvendi.
Sipas nenit 84 të Kushtetueses, këtë të drejt Presidenti mund ta shfrytëzojë vetëm një herë për të njëjtin ligj.
“…ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë”, thuhet në piken 6 të nenit 84.
Nëse Kuvendi e miraton sërish të njëjtin ligj (me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, sipas rregullave kushtetuese), ligji konsiderohet i miratuar dhe shpallet nga Presidenti.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, Ligjin nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (i njohur si Ligji për Gjykatën Speciale) e ka nënshkruar 15 tetor.
Pas nënshkrimit nga kryeparlamentarja, dokumenti i është përcjellë menjëherë Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, për dekretim dhe shpallje.