U miratua me nguti dhe nën presion, por presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula e riktheu Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, me kërkesën e vetë nismëtares, Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenca tha se Shiroka Pula pranoi propozimin zyrtar të PDK-së për rishqyrtimin e ligjit, veçmas të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me “dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave”.
Në arsyetim, sipas njoftimit, Shiroka Pula ka riktheksuar qëndrimin “kundër çdo përpjekjeje për të shtrembëruar të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të luftës apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”.
Presidenca tha se Shiroka Pula po vazhdon konsultimet me institucionet shtetërore për bashkërendimin e veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për “dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të UÇK-së, si dhe për mbrojtjen sa më të mirë të të drejtave dhe interesave të krerëve të saj që po gjykohen në Dhomat e Specializuara”.
Pasditen e së enjtes, Partia Demokratike e Kosovës tha se ia ka parashtruar kërkesën presidentes për kthimin e ligjit, në mënyrë që përmes rishqyrtimit të bëhet plotësimi i dispozitave të caktuara dhe forcimi i sigurisë juridike të ligjit, “në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara”.
“Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para”, tha PDK-ja përmes një njoftimi për media.
Sipas subjektit më të madh opozitar, rishqyrtimi i ligjit duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes në fuqi të të njëjtit, teksa iu bë thirrje ekspertëve që të kontribuojnë në këtë proces.
PDK tha se pret që ligji të miratohet sërish pas katër javësh.
Pas vendimit të presidentes, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, partia e të cilit nuk mori pjesë në votimin e ndryshimeve të ligjit, tha se për këtë vendim, subjekti i tij u etiketua si “tradhtar” dhe u paraqit si “kundërshtare e UÇK-së”.
“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu”, shkroi ai.
Kundër kthimit të ligjit në Kuvend u shpreh ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht deputet i Aleancës, Ramush Haradinaj, që e cilësoi si “turp të madh” dhe “goditje të rëndë” për Kosovën.
Ligji i miratuar në lexim të parë më 5 tetor dhe në atë përfundimtar mbrëmjen e 6 tetorit u hartua dhe u sponsorizua nga subjekti kryesor opozitar, Partia Demokratike e Kosovës dhe u mbështet nga partia tjetër opozitare, Aleanca, teksa para ndërtesës së Kuvendit mijëra qytetarë po protestonin duke kërkuar që i njëjti të miratohej.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, ofroi mbështetje për ligjin, ndonëse më pas nga partia në pushtet u shprehën skeptikë se i njëjti do të prodhonte efektet e pritura.
Ligji – që u lidh edhe me çështjen e zgjedhjes së presidentit – u votua pasi për ditë të tëra qytetarët protestuan kundër aktgjykimit dënues të 16 shtatorit kundër katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u dënuan në shkallë të parë për krime lufte.
Protestuesit kërkuan ndryshimin e ligjit dhe mbështetje më të madhe për ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, që u shpallën fajtorë nga Gjykata Speciale.
Çfarë ndodh tash me ligjin?
Kthimi i ligjit nga presidentja nuk e rrëzon automatikisht atë dhe as e kthen në pikën zero, thotë për Radion Evropa e Lirë, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ai shpjegon se, në bazë të Kushtetutës, Shiroka Pula ka të drejtë që, brenda afatit kushtetues, ta kthejë ligjin vetëm një herë në Kuvend dhe t’i paraqesë arsyet konkrete.
“Pas kësaj, ligji i rikthehet Kuvendit për rishqyrtim”, thotë ai.
Bazuar në nenin 84 të Kushtetutës, thotë Jakaj, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, duhet t’ia dërgojë ligjin Komisionit përgjegjës parlamentar dhe deputetëve.
Pra, sipas tij, Ligji për Dhomat e Specializuara nuk rikthehet në procedurën e zakonshme nga fillimi e as nuk përsëritet inicimi i projektligjit në lexim të parë dhe gjithë procedura që është zhvilluar para tij, pasi Jakaj thotë se Kushtetua parasheh procedurë të posaçme për ligjin e kthyer nga presidentja.
“Kryetari i Kuvendit ia përcjell ligjin Komisionit përgjegjës-raportues, i cili i shqyrton arsyet e kthimit dhe përgatit raportin për seancën plenare brenda katër javësh. Në fund, çështja vendoset në seancë. Këtu standardi i votimit është më i lartë sesa gjatë miratimit të zakonshëm të një ligji: nuk mjafton shumica e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë, por kërkohen së paku 61 vota, pra shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit”, thotë ai.
Vetë fakti që presidentja nuk e dekreton një ligj nuk nënkupton automatikisht që janë konstatuar shkelje kushtetuese apo ligjore, por sipas Jakajt, kthimi nga presidentja është kompetencë kushtetuese e saj për t’i kërkuar Kuvendit që ta rishqyrtojë një ligj.
“Një konstatim i tillë përfundimtar i takon Gjykatës Kushtetuese”, vlerëson Jakaj.




