Fikret Rexhepi, asambleisti më i votuar nga PDK në Drenicë, ka dalë me reagim të ashpër pas zhvillimeve të fundit në lidhje me Ligjin për Specialen, shkruan GazetaDemos
Familjari i dy heronjëve Rexhepi ka shkruar se pret nga deputetët e PDK-së në Kuvend që të reflektojnë mbi përgjegjësit e tyre politike, duke shtuar se partia duhet të jetë transparente para qytetarëvë në lidhje me Ligjin për Specialen.
"Në çdo fushatë, gojën e kanë plot me UÇK-në, ndërsa aty ku duhet të tregojnë veten, i harrojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin! I harrojnë njerëzit që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës. I harrojnë obligimet dhe detyrat e tyre si deputetë, aq sa sot qytetarët, me të drejtë, e vënë në dyshim nëse këta deputetë e kuptojnë vërtet se për çfarë shkojnë në Kuvend", u shpreh ai.
Rexhepi u shpreh se vlerat e UÇK-së u përdorën për pazare politike, e kjo gjë është e pafalshme.
"Nëse deputetët nuk janë në gjendje t’i përfaqësojnë këto vlera, atëherë nuk e meritojnë besimin e qytetarëve. Qytetarët nuk ua dhanë votën për t’i zënë karriget e për të përfituar një pagë personale, por për t’i përfaqësuar me dinjitet", thuhet në postimin e tij në Facebook.
Postimi i plotë:
KUR HARROHEN IDEALET, POLITIKA REDUKTOHET NË INTERES TË PASTËR PERSONAL!
Pres nga deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës që të reflektojnë mbi përgjegjësinë e tyre politike, të japin kontributin e tyre në përputhje me premtimet që ua kanë dhënë votuesve dhe, mbi të gjitha, të jenë vigjilentë kur është në pyetje ideali kombëtar dhe shtetëror. Partia Demokratike e Kosovës duhet të jetë transparente para qytetarëve për gjithçka që ka të bëjë me Ligjin për Dhomat e Specializuara.




