Drita ka pësuar një eliminim të dhimbshëm në play-offin e Ligës së Konferencës, pasi Inter D’Escaldes e mposhti pas ekzekutimit të penalltive dhe siguroi kualifikimin në fazën e ligës.
Përveç zhgënjimit sportiv, eliminimi në Andorrë i ka kushtuar kampionit të Kosovës edhe në aspektin financiar, pasi Drita ka humbur mundësinë për të arkëtuar rreth 3.1 milionë euro të tjera nga vazhdimi i garave evropiane.
Drita e nisi aventurën evropiane në Ligën e Kampionëve, si kampione e Kosovës, dhe zhvilloi gjithsej katër raunde kualifikuese.

Në raundin e parë, gjilanasit u përballën me Žalgiris, ndaj të cilit u eliminuan me rezultat të përgjithshëm 4-3. Më pas, Drita vazhdoi garat në Ligën e Konferencës, ku në raundin tjetër u përball me Floriana, transmeton Telegrafi.
Pas një përballjeje dramatike, Drita arriti ta eliminojë skuadrën malteze me rezultat të përgjithshëm 3-2, pas vazhdimeve.
Në raundin pasues, kampionët e Kosovës treguan forcën e tyre ndaj Tre Fiori, duke siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 9-1 dhe duke arritur deri në play-off.
Në ndeshjen e fundit, Drita u përball me Inter D’Escaldes. Pas barazimit 2-2 në Prishtinë dhe 0-0 pas 90 minutash në Andorrë, ndeshja shkoi në vazhdime, por as ato nuk sollën gol.
Fati u vendos nga penalltitë, ku Inter D’Escaldes triumfoi dhe i dha fund aventurës evropiane të Dritës.






