Bashkim Aliu, imam me ndikim në Zvicër, është larguar nga funksionet e tij drejtuese në organizatat islame të Cyrihut, pas raportimeve për deklarata homofobike dhe pjesëmarrjen e tij në një konferencë ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të organizatave islamiste.
Sipas mediumit zviceran Watson.ch, i cili i referohet hulumtimeve të gazetës SonntagsZeitung, Aliu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet brenda Shoqatës së Organizatave Islame në Cyrih. Ndërkohë, Federata e Organizatave Islame të Zvicrës e ka shkarkuar me efekt të menjëhershëm nga përgjegjësitë e tij.
Deri në mesin e kësaj jave, Aliu drejtonte Komisionin e Imamëve në FIDS. Njëkohësisht, ai ishte autoriteti kryesor teologjik i VIOZ-it dhe, në këtë cilësi, mbante kontakte të rregullta me autoritetet e Cyrihut.
Sipas hulumtimit të SonntagsZeitung, një nga çështjet që ka nxitur reagime është një postim i Aliut në Facebook, i vitit 2017, ku ai e kishte cilësuar Paradën e Krenarisë në Prishtinë si “paradë të turpit”.
Kjo deklaratë bie ndesh me parimet e shpallura nga VIOZ dhe FIDS, të cilat theksojnë barazinë dhe respektimin e ligjeve zvicerane.
Të dyja organizatat i kanë deklaruar SonntagsZeitung se deklaratat homofobike apo ato që cenojnë dinjitetin njerëzor janë në kundërshtim me parimet e tyre.
Një tjetër çështje që ka ngritur pikëpyetje lidhet me udhëtimin e Aliut në Doha, në janar të vitit 2024.
Atje, ai kishte marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë, organizatë që SonntagsZeitung e përshkruan si të lidhur ngushtë me Vëllazërinë Myslimane.



