Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është kërcënuar përmes rrjeteve sociale nga një person.
Këto burime bëjnë të ditur se kanosjet ndaj Halitit kanë ndodhur në disa raste dhe se i dyshuari ishte arrestuar më herët nga Policia, por më pas ishte liruar.
Megjithatë, i dyshuari nuk është ndalë as pas lirimit. Të shtunën, përmes publikimeve në rrjetin social TikTok, ai dyshohet se ka vazhduar me kërcënimet ndaj kryetarit Haliti.

Policia Rajonale e Gjilanit ka konfirmuar se në Viti është arrestuar një person i dyshuar për kanosje të përsëritura përmes rrjeteve sociale.
“KANOSJE – Viti, 07.11.2026-09:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti përmes rrjetit social në mënyrë të përsëritur ka kanosur viktimën mashkull kosovar”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se, me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.