Nga kutitë e votimit dolën me numrin më të madh të votave që nga viti 2000. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të bashkuar në një koalicion të përbashkët, fituan 27 mijë e 670 vota në zgjedhjet parlamentare në Serbi, rezultat që ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, e sheh si dëshmi të fuqisë së bashkimit politik, por edhe të sfidave për përfaqësimin e tyre në Kuvendin serb.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se, pavarësisht dy mandateve të fituara, shqiptarët kanë dëshmuar se janë faktor në skenën politike të Serbisë.
Sipas Mustafit, ky rezultat dëshmon se shqiptarët kanë arritur të mobilizohen dhe të bashkojnë forcat politike, ndonëse rritja e numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhje ka ndikuar në përfaqësimin e tyre parlamentar.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë nxjerrë të gjitha partitë politike në një koalicion të përbashkët, Koalicionin e Shqiptarëve, me çka i kanë bashkuar forcat për ta maksimalizuar edhe rezultatin. Kanë fituar 27 mijë e 670 vota. Është numri më i madh i votave që kanë marrë në historinë e tyre më të re, që nga viti 2000, e madje kanë edhe më shumë vota sesa në vitin 2020, për rreth 1 mijë e 300 vota, kur kanë fituar edhe tre mandate”, ka deklaruar Mustafi për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se, pavarësisht numrit rekord të votave, rritja e pragut të votave të nevojshme për përfaqësim, si pasojë e pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhje, ka ndikuar që shqiptarët të mos e përsërisin rezultatin prej tre mandatesh.
“Po, ngritja e censusit, përkatësisht e numrit të votave në nivelin e daljes në zgjedhje, e ka penalizuar këtë drejtim. Komuniteti shqiptar, përkatësisht Koalicioni Shqiptar, tashmë, nga nëntë listat e pakicave, ka dalë i dyti më i votuari. I pari, së bashku me hungarezët, ka dy mandate në listat zgjedhore. Nga 18 lista që kanë garuar në këtë rast në Serbi për zgjedhjet, shqiptarët janë të katërtit për nga votat dhe të tretët, bashkë me hungarezët, për nga mandatet”, ka thënë ai.
Mustafi ka vlerësuar se dy mandatet e fituara nga shqiptarët, njësoj si ato të komunitetit hungarez, si dhe mandatet e fituara nga partitë e komunitetit boshnjak, krijojnë një hapësirë të re për përfaqësimin e pakicave në Kuvendin e Serbisë.




