Sektori minerar dhe lëndët e para kritike paraqesin potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, tërheqjen e investimeve amerikane dhe ndërkombëtare, si dhe integrimin e vendit në zinxhirët globalë të furnizimit.
Kjo u tha gjatë diskutimit me temën “Sektori minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë: Mundësitë e investimeve për bizneset amerikane”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Komitetin e Grave në Energji dhe Miniera.
Në hapje të forumit, Shqipe Vela, Udhëheqëse e Komitetit të Grave në Energji dhe Miniera, theksoi se pasuritë natyrore të Kosovës përbëjnë një mundësi të rëndësishme për zhvillim industrial, krijim të vendeve të punës dhe rritje të konkurrueshmërisë ekonomike.
Ajo nënvizoi se realizimi i këtij potenciali kërkon një kuadër të qartë ligjor, politika të qëndrueshme dhe një strategji afatgjatë për sektorin. Vela theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe bizneseve për zhvillimin e fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe rolin e investitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë në modernizimin e industrisë.
Arben Mustafa, Kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës, theksoi se kërkesa globale për burime të sigurta të lëndëve të para krijon mundësi të reja për Kosovën. Sipas tij, shndërrimi i potencialit minerar në investime konkrete kërkon institucione funksionale, transparencë në vendimmarrje dhe eliminim të pengesave burokratike. Ai shprehu përkushtimin për rishikimin e legjislacionit dhe adresimin e barrierave për investime, duke theksuar se investitorët amerikanë mund të kontribuojnë me kapital, teknologji, ekspertizë dhe qasje në tregjet ndërkombëtare.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, theksoi se zhvillimi i sektorit minerar duhet të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përpunimin e lëndëve të para brenda Kosovës. Ajo veçoi ndërmarrjen Trepça si aset strategjik, modernizimi dhe përmirësimi i menaxhimit të së cilës janë të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
Zëvendësministrja bëri të ditur se Ministria synon avancimin e vlerësimit të pasurive minerale, shqyrtimin e mundësive për gazifikimin e qymyrit mbi baza të fizibilitetit ekonomik, teknologjik dhe mjedisor, si dhe hartimin e një strategjie të re minerare të mbështetur në të dhëna të besueshme gjeologjike.

