Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kritikuar dështimet institucionale në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.
Kurti tha se rasti i Arlindës e ka nxjerrë edhe një herë në pah një të vërtetë të rëndë, se edhe kur një grua i ndjek të gjitha rrugët ligjore për të denoncuar dhunën dhe për të kërkuar mbrojtje, sërish mund të përfundojë e vrarë.
“Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë se një grua mund t'i ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta dhe prapë të përfundojë e vrarë”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se Arlinda kishte vepruar pikërisht ashtu siç institucionet u kërkojnë grave të veprojnë kur përballen me dhunë.
“Arlinda bëri atë që institucionet u kërkojnë grave ta bëjnë kur përballen me dhunë”, u shpreh Kurti.




