Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, njëherësh Komandant i Komandës për Evropë të Shteteve të Bashkuara, Gjeneral Alexus Grynkewich, i cili ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Roberto Vergori, dhe e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati.
Teksa tha se për katër vjet me radhë shpenzimet tona për mbrojtje kalojnë 2% të Bruto Produktit Vendor, si dhe tregoi se javën e kaluar u betuan 515 ushtarë të rinj dhe këtë javë 209 rekrutë nisën stërvitjen bazë, kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës po vazhdon me trajnime e blerje, me synim rritjen profesionale ushtarake dhe ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ndërsa shtoi se jemi përpara në planin dhjetëvjeçar dhe do ta përmbushim atë para vitit 2028.
Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës e çmon rolin e NATO-s për çlirimin e vendit dhe është falënderuese ndaj KFOR-it për kontributin për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në vend dhe rajon.




