Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po vazhdojnë, ndërsa është riafirmuar se shtrirja e tyre do të mbetet ajo e paraparë në Librin e Kandidaturës.
Në një postim, Kurti ka njoftuar se në takimin e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM) është diskutuar drafti i Masterplanit, projektet prioritare dhe hapat e mëtejmë drejt organizimit të këtij eventi sportiv.
Sipas tij, krahas Prishtinës, pjesë e organizimit do të jenë edhe Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi, Skenderaj dhe komunat e tjera të parapara në kandidaturën e Kosovës.
Kurti ka bërë të ditur se në rishikimin e Masterplanit do të përfshihen edhe investimet që janë duke u realizuar në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.




