Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka reaguar lidhur me fotografinë e kryeministrit Albin Kurti me Fehim Salin, personin që është raportuar si i dyshuar për lidhje me BIA-n serbe.
Manxhuka ka thënë se gjatë pesë vjet e gjysmë të qeverisjes, kryeministri Kurti ka pritur në takime dhjetëra organizata të komuniteteve joshumicë dhe delegacionet e tyre, të cilat janë të regjistruara dhe veprojnë në Kosovë.

“Dhjetëra organizata të pakicave me delegacione të tyre që janë të regjistruara dhe operojnë në Kosovë, Kryeministri Kurti i ka pritur në këto pesë vjet e gjysmë”, ka deklaruar Manxhuka.
Ai ka theksuar se institucionet nuk kanë për detyrë të bëjnë verifikime të natyrës së “detektorit” për secilin person që merr pjesë në takime, duke shtuar se nuk duhet të ketë amnisti për persona të dyshuar.
“Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnesti për askënd”, është shprehur ai.


