Komunikimi jo i rregullt dhe joefektiv i policisë me gjykatat, është një ndër problemet e evidentuara nga Inspektorati Policor i Kosovës, në një inspektim të bërë në disa stacione policore, për ekzekutimin e urdhëresave të gjykatave.
Inspektorati ka inspektuar stacionet policore, në Dragash, Ferizaj, Graçanicë, Gjilan, Hani i Elezit, Kamenicё, Kllokot, Novobërdë, Partesh Ranillug, Skënderaj, Viti dhe Vushtrri.
Në stacionin policor në Gjilan sipas gjetjeve, është evidentuar se periudha nga data e lëshimit të urdhëresës gjyqësore deri në njoftimin zyrtar të gjykatës, në rastin më të gjatë, tejkalon edhe plot 11 vjet.
“Janë evidentuar edhe raste të vonesave të konsiderueshme në reagimin ndaj kërkesave të gjykatës. Në një rast është hasur që përkundër kërkesës së gjykatës për ndërmarrje urgjente të veprimeve policore, ai është ndërmarrë vetëm pas dy (2) muajsh. Po ashtu, është evidentuar mungesë e veprimeve dhe raportimit për periudha të gjata kohore. Veçohet Letër rreshtimi P.nr. 1591/13, e datës 22.01.2014, për të cilën gjykata është njoftuar brenda ditës, ndërsa për më shumë se dhjetë (10) vite nuk evidentohet ndonjë veprim tjetër për realizimin e tij, apo ndonjë njoftim i mëtejmë zyrtar për gjykatën. Urdhëresa në fjalë është parashkruar më 19.09.2024.”
Ndërsa në stacionin policor në Skenderaj, IPK-ja hedh dyshime mbi vërtetësinë e raporteve që ka bërë policia.




