Këshilli Kombëtar Serb (SNV), Forumi Kombëtar Serb nga Graçanica dhe lëvizja “Otadžbina” do të paraqesin të hënën një kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq, kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq, shefit të ashtuquajtur Zyre për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, dhe ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.
Tri organizatat i akuzojnë pesë zyrtarët për tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe moskryerje të detyrave zyrtare, duke pretenduar se politika e tyre ndaj Kosovës ka shkaktuar dëme dhe ka cenuar të drejtat e serbëve.
Sipas njoftimit të publikuar nga portali serb KoSSev, kallëzimi penal do të dorëzohet më 16 nëntor, në orën 11:00, në Pallatin e Drejtësisë në Beograd.
Tri organizatat kanë paralajmëruar edhe një konferencë për media, në të cilën do të shpjegojnë arsyet e nismës.
Mbyllja e institucioneve serbe në Kosovë
Në qendër të akuzave të tyre është politika e Beogradit ndaj Kosovës dhe, veçanërisht, mbyllja e institucioneve që kanë funksionuar në territorin e Kosovës në kuadër të sistemit të Republikës së Serbisë.
Këto institucione janë mbyllur nga autoritetet e Kosovës përmes aksioneve të ndërmarra që nga fillimi i vitit 2024, në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë për të shtrirë zbatimin e ligjeve dhe autoritetin institucional në të gjithë territorin e vendit.
Autoritetet e Kosovës mbyllën tri komuna paralele serbe në Pejë, Istog dhe Klinë. Më 30 gusht të po atij viti, u mbyllën edhe pesë institucione të tjera paralele në veri të Kosovës.
Ndërkaq, më 15 janar 2025, aksionet u zgjeruan edhe në dhjetë komuna në pjesën jugore të lumit Ibër, ku u mbyllën disa komuna paralele, zyra postare dhe zyra tatimore të Serbisë.




