Këshilli Prokurorial i Kosovës është detyruar ta shtyej për disa javë konkursin për prokuror të rinj, pasi asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb nuk kishte aplikuar. Vendimi për ta zgjatur afatin e konkursit rezultoi me aplikimin e 3 kandidatëve serb.
Për 10 pozitat e rezervuara për prokurorë nga komuniteti serb, vetëm 3 persona kanë aplikuar në konkursin e hapur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Ky institucion, e hapi konkursin më 4 gusht, për gjithsej 34 prokurorë të rinj.
Nga Këshilli Krokurorial i Kosovës nuk kanë treguar detaje pas mbylljes së konkursit, por televizioni ka kuptuar që vetëm 3 serbë kanë aplikuar, dhe se asnjëheri prej tyre, nuk është pjesë e listës së prokurorëve të dorëhequr.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, siç e dini, ka zgjatur afatin e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj, me qëllim që t’u mundësohet pjesëmarrje e barabartë të gjithë kandidatëve të interesuar, përfshirë edhe kandidatët nga komuniteti serb, afat shtesë ky, i cili është përmbyllur më 28 shtator 2026. Pas përfundimit të procesit të verifikimit të të dhënave për numrin e aplikimeve të pranuara gjatë këtij afati shtesë, komisioni përkatës i KPK-së do të ofrojë informatat për numrin e përgjithshëm të aplikuesve, përfshirë aplikuesit nga komuniteti serb.”
KPK-ja kishte vendosur për shtyerjen e afatit për konkurs për disa ditë, meqë nuk kishte aplikuar asnjë kandidat nga ky komunitet.

