Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara. v 1.0.2
Lajme

Mjekët e rinj protestojnë – Racaj kundërshton shifrat e Kurtit, 534 mjekë janë të papunë

GD
Gazeta Demos21 nëntor 2026 në 11:11
Mjekët e rinj protestojnë – Racaj kundërshton shifrat e Kurtit, 534 mjekë janë të papunë

Mundësi të rregullta punësimi, konkurse transparente për specializime dhe pagesë të stazhit gjashtëmujor kanë qenë kërkesat kryesore të mjekëve të rinj, të cilët të shtunën kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë, duke paralajmëruar se mungesa e mundësive po i shtyn drejt emigrimit.

Protesta është organizuar nga iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë”, ndërsa në emër të mjekëve para të pranishmëve ka folur Besfort Racaj, student i vitit të fundit në Fakultetin e Mjekësisë.

Ai ka thënë se profesionistët e rinj shëndetësorë nuk po kërkojnë privilegje, por mundësi për të punuar dhe për të ndërtuar të ardhmen në Kosovë.

“Për të kërkuar të drejtat tona dhe, mbi të gjitha, për të kërkuar një të ardhme në vendin tonë. Një dhimbje që ka një emër: pasiguri për të ardhmen tonë. Ne nuk jemi kundër askujt. Ne nuk jemi këtu për të kërkuar privilegje. Ne jemi këtu sepse duam të punojmë, të zhvillohemi dhe t’i shërbejmë popullit tonë. Të dashur kolegë, për kë po përgatitemi ne, profesionistët shëndetësorë, nëse nuk po krijohen mundësi që të punojmë në vendin tonë? Për çfarë po arsimohemi, nëse në fund të rrugëtimit tonë profesional na pret papunësia, pritja e gjatë dhe emigrimi? Mendoni për 6 vitet në fakultet, për netët pa gjumë, provimet, sakrificat, për familjet tona që kanë investuar gjithçka në shkollimin tonë. Mendoni për prindërit tanë, disa prej të cilëve janë sot këtu pranë nesh. Ata kanë punuar, kanë kursyer dhe kanë hequr dorë nga shumë gjëra vetëm që ne të kemi një të ardhme më të mirë. Dhe sot, pas gjithë këtyre sakrificave, ne duhet të pyesim: a duhet të jetë shpërblimi i gjithë kësaj sakrifice largimi nga vendlindja? A duhet që prindërit tanë të na shohin duke u larguar nga Kosova vetëm sepse këtu nuk po na u jepet mundësia për të punuar? Ne nuk duam të largohemi. Ne nuk duam t’i lëmë familjet tona. Ne duam të qëndrojmë në Kosovë. Por na duhet një arsye për të qëndruar. Dhe kjo arsye duhet të jetë mundësia, siguria dhe dinjiteti”, tha ai.

Racaj ka paraqitur edhe kërkesat e protestuesve, duke përfshirë punësimin e profesionistëve shëndetësorë të licencuar, shpalljen e konkurseve për specializime çdo vit dhe përcaktimin e kuotave sipas nevojave të spitaleve dhe sistemit shëndetësor.

Ai ka kërkuar gjithashtu transparencë dhe meritokraci në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për specializime, si dhe ndryshimin e udhëzimit administrativ për vlerësimin e tyre.

“Kërkesa jonë e parë është mundësia reale e punësimit. Nuk mund të vazhdojmë të kemi profesionistë të licencuar, të përgatitur dhe të gatshëm për punë, ndërkohë që ata mbeten të papunë dhe të detyruar të presin 3, 4 vite për punësim. Kërkojmë mundësi për specializime. Kërkojmë që konkurset për specializime të shpallen çdo vit, në intervale të rregullta dhe me kuota të përcaktuara në bazë të nevojave reale të spitaleve dhe sistemit shëndetësor në Kosovë. Specializimet duhet të planifikohen sipas mungesave dhe kërkesave të shërbimeve shëndetësore, e jo në mënyrë arbitrare. Kërkojmë transparencë dhe meritokraci në specializime. Nuk kërkojmë favore për askënd. Kërkojmë kritere të qarta. Kërkojmë vlerësim të drejtë dhe kërkojmë rezultate transparente. Kërkojmë ndryshimin e udhëzimit administrativ për vlerësimin e kandidatëve për specializime. Nuk është e drejtë që kandidati me një vit përvojë pune dhe ai me 5 vite përvojë pune të vlerësohen njësoj me nga 10 pikë. Kjo nuk është meritokraci. Dhe nuk është e drejtë që një kandidat të penalizohet për mungesën e përvojës së punës, kur vetë mungesa e mundësive për punësim ia ka pamundësuar atë. Askush nuk duhet të penalizohet për një mundësi që nuk iu dha pa qenë vetë përgjegjës për këtë. Kërkojmë pagesën e stazhit 6-mujor. Puna dhe kontributi ynë kanë vlerë. Nuk mund të vazhdojmë të jemi barrë financiare për prindërit dhe familjarët tanë, edhe në moshën 25-vjeçare, kur tashmë kemi përfunduar studimet dhe jemi të gatshëm t’i shërbejmë vendit”, tha ai.

Gjatë fjalimit, Racaj ka paraqitur edhe shifra që, sipas tij, pasqyrojnë gjendjen e punësimit dhe emigrimit të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë. Ai ka deklaruar se gjatë viteve 2021–2026 nga Kosova kanë emigruar 650 mjekë, ndërsa 534 doktorë janë të papunë.

“Të nderuar të pranishëm, tani le të flasim me shifra, sepse pas këtyre shifrave qëndrojnë njerëz, familje dhe jetë profesionale që po mbeten në pritje. Jo, kryeministër, nuk janë 171 mjekë të kthyer në Kosovë. Janë 650 mjekë të emigruar nga Kosova gjatë viteve 2021-2026. 534 doktorë janë të papunë në Kosovë. Shumë prej tyre madje presin për më shumë se 3 vite vetëm për një mundësi punësimi. Ndërkohë, 611 doktorë nga Kosova janë të licencuar në shoqatat mjekësore në Gjermani. Nga 2.751 stomatologë të licencuar, vetëm 365 janë të punësuar në sektorin publik. Vetëm rreth 50% e infermierëve të licencuar janë të punësuar në sektorin publik. Vetëm 9 vende specializimi për stomatologji nga konkursi i fundit për qindra stomatologë në pritje. Vetëm 110 vende specializimi për më shumë se 1.000 mjekë të përgjithshëm në pritje. Dhe 155 vende të impunuara për mjekësi familjare, të cilat shumë lehtë do të mund të ishin vende të stimuluara. Ministër, stimulo e mos impuno”, tha ai.

Në protestë ka marrë pjesë edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Albena Reshitaj, e cila ka thënë se si profesoreshë e Fakultetit të Mjekësisë dhe deputete e ndien obligim që kërkesat e studentëve dhe mjekëve të rinj t’i adresojë edhe në institucione.

“Sot jam këtu në dy cilësi, në cilësi të profesoreshës së Fakultetit të Mjekësisë dhe në cilësi të deputetes së Republikës së Kosovës, që ndjej një detyrim, një obligim që të luftoj që zëri i studentëve tanë, mjekëve tanë, specializantëve tanë të dëgjohet dhe të mos dëgjohet vetëm në rrugë, por në institucione. Është një padrejtësi e jashtëzakonshme që është duke u bërë ndër vite studentëve, mjekëve të rinj, por edhe specializantëve e atyre që duan të specializojnë, pasi që nuk ka transparencë, nuk ka dialog serioz, të sinqertë me këta përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucione të tjera përgjegjëse”, tha ajo.

Reshitaj ka vlerësuar se mjekët e rinj po kërkojnë mundësi të barabarta për punësim dhe zhvillim profesional, në mënyrë që të mos e shohin emigrimin si mundësinë e vetme për të ardhmen e tyre.

“Mjekët e rinj të papunë në Republikën e Kosovës nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë që të kenë mundësi të barabarta dhe të drejtë të barabartë për punësim, për specializim edhe për zhvillim profesional. Andaj është e padrejtë që me mbi gjashtë vite studime, me një sakrificë të jashtëzakonshme të familjarëve të tyre për të arritur këtu, me një investim shumë të madh të shtetit, këta të rinj e të reja ta shohin mundësinë e vetme emigrimin. Nuk i kemi edukuar, nuk i kemi mësuar që këta të shkojnë dhe të punojnë e të ngrisnin mirëqenien e shëndetin qytetar të vendeve në vende të huaja. Ne kemi nevojë që këta mjekë, këta profesionistë shëndetësorë të jetojnë, të punojnë dhe të ndikojnë në mirëqenie dhe në shëndet të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë të dielën, në orën 10:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Aty, sipas njoftimit, do të vendosen tavolina ku profesionistët shëndetësorë do të ofrojnë shërbime simbolike për qytetarët.

kanëtonërinj

Të ngjashme

Studentët paralajmërojnë protestë para Rektoratit, kërkojnë shkarkimin e rektorit

Studentët paralajmërojnë protestë para Rektoratit, kërkojnë shkarkimin e rektorit

21:43
Isni Kilaj tregon se shujtat në Hagë ua kanë sjellë të ngrira

Isni Kilaj tregon se shujtat në Hagë ua kanë sjellë të ngrira

16:04
Një person i lënduar nga erërat e forta mbrëmë në Kosovë, këto janë komunat më të prekura

Një person i lënduar nga erërat e forta mbrëmë në Kosovë, këto janë komunat më të prekura

08:24
Erërat e forta shkaktuan dëme materiale në Ferizaj, zjarrfikësit japin detaje

Erërat e forta shkaktuan dëme materiale në Ferizaj, zjarrfikësit japin detaje

07:58

Më shumë nga Lajme

  • 11:29E rëndë në Istog: Gjendet i vdekur një person në fermën e peshqve ku punonte
  • 10:55Vrasja e trefishtë në Gllogjan, gjykata arsyeton lirimin e të akuzuarve: Asnjë dëshmitar nuk e identifikoi autorin
  • 10:43Hoti: Qeveria nuk mori masa kundër shtrenjtimit, bizneset me fatura trefish më të larta të energjisë
  • 10:42Ibrahimi: S’jemi kundër kontratës kolektive, por barrën financiare duhet ta bartë niveli qendror
  • 09:30Momente emocionuese në familjen e Jakup Krasniqit, të afërmit e presin dhe e përshëndesin nga ballkonet