Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës(AKK), Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se AKK dhe kryetarët e komunave nuk kanë qenë asnjëherë kundër kontratës kolektive dhe respektimit të të drejtave të punëtorëve të arsimit, por kundërshtojnë që shpenzimet për zbatimin e saj të mbulohen nga buxhetet komunale.
Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SBASHK), me rastin e nënshkrimit të kontratës kolektive me Ministrinë e Arsimit, është dashur të jetë në dijeni se mjetet financiare për zbatimin e saj duhet të sigurohen nga niveli qendror dhe jo t’u ngarkohen komunave.
“Mirëpo neve si asociacion që nga nënshkrimi i kontratës së parë dhe deri më tani, jemi kundër që mjetet financiare t’i mirren padrejtësisht komunave. SBASHK-u kur e ka nënshkruar kontratën me Ministrinë e Arsimit, po besoj që kanë qenë në dijeni që ato mjete financiare duhet të sigurohen nga Ministria e Arsimit, sepse kanë qenë palë nënshkruese, e jo që SBASHK-u të nënshkruajë marrëveshje me ministrinë, kurse barrën financiare t’ia japë komunave”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka thënë se kjo situatë përbën padrejtësi ndaj komunave, të cilat ndër vite janë ngarkuar me shpenzime të konsiderueshme financiare, përfshirë edhe kostot e proceseve gjyqësore, përmbarimore dhe të avokatëve.
“Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës pas analizës së situatës, ka vendosur që t’i rekomandojë komunave që barrën financiare mos ta merr komuna, sepse deri më tani ju kanë marrë padrejtësisht komunave me qindra miliona euro, duke llogaritur këtu edhe proceset gjyqësore, përmbarimore dhe të avokatëve, kjo shumë është rritur mbi 30%, ku shumë miliona euro, me qindra miliona euro, më shumë se 100 milionë euro gjatë këtyre viteve të fundit kanë shkuar për procese gjyqësore, përmbarimore dhe avokatëve”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka paralajmëruar se nëse SBASHK-u kërkon nënshkrimin e një kontrate të re kolektive, komunat nuk duhet të konsiderohen bartëse të barrës financiare.
“Pra, SBASHK-u mos të llogarisë që në kontratën e re kolektive, nëse ajo nënshkruhet, që barrën financiare ta bartin komunat e Republikës së Kosovës, sepse me qindra projekte të komunave në infrastrukturë, në subvencione, mallra dhe shërbime janë ndërprerë për shkak të kontratës kolektive dhe neve po besojmë që SBASHK-u duhet t’i thirrë mendjes dhe nëse do kontratë të re kolektive, barrën financiare duhet ta bartë niveli qendror”, ka deklaruar Ibrahimi për Ekonomia Online.
Ai ka theksuar se zgjidhja e kësaj çështjeje mund të bëhet përmes përcaktimit të një vije të veçantë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës.
“Edhe te vija buxhetore. Vijën buxhetore e përcakton niveli qëndror, domethënë edhe tash me dashtë niveli qëndror me e zgjidh këtë problem, mundet shumë lirshëm, mund ta vendosë një vijë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin e ardhshëm, ku disa miliona euro mund t’i dedikohen zbatimit të kontratës kolektive”, ka thënë Ibrahimi për Ekonomia Online.
Sipas tij, Ministria e Arsimit mund të propozojë një vijë buxhetore për mbulimin e kostos së kontratës kolektive, e cila më pas do të shqyrtohej dhe miratohej nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
Ai ka sqaruar se Granti për Arsim propozohet nga Ministria e Arsimit në nivelin qendror dhe më pas përfshihet në buxhetin e Republikës së Kosovës, si grant i dedikuar për komunat, por se në të nuk parashihet mbulimi i kostos së kontratës kolektive.

