Një shqiptar i dënuar për drogë në Britaninë e Madhe ka tentuar të shmangë dëbimin drejt Shqipërisë, duke argumentuar se e dashura e tij vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka nevojë për mbështetjen e tij. Por gjykata britanike nuk e ka pranuar këtë argument, duke vlerësuar se çifti mund të jetojë së bashku në Shqipëri ose ta vazhdojë lidhjen në distancë.
Eugert Pulaj, 37 vjeç, i cili kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në Britani në vitin 2019, u dënua në qershor 2024 me dy vite e katër muaj burg, pasi policia e Londrës e kapi me 24 qese kokainë. Ai u shpall fajtor për posedim droge të klasit A me qëllim shpërndarjen.
Sipas medias britanike “GB News”, Pulaj kundërshtoi vendimin e Ministrisë së Brendshme për dëbimin e tij, duke pretenduar se largimi nga Britania do të kishte pasoja tepër të rënda për të dashurën e tij rumune, e cila ka status të rregullt qëndrimi.
Çifti argumentoi se ishin emocionalisht të varur nga njëri-tjetri dhe se shqiptari e ndihmonte partneren të përballonte çrregullimin e deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), ankthin dhe depresionin.
