Territori i Kosovës gjatë pesë ditëve të ardhshme do të përballet me kushte atmosferike të ndryshueshme, të karakterizuara nga vranësira, intervale të herëpashershme me diell dhe reshje periodike shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, zonat malore dhe në viset me lartësi më të mëdha mbidetare parashihen edhe reshje bore, ndërsa temperaturat do të pësojnë luhatje të theksuara gjatë kësaj periudhe.
Sipas parashikimit meteorologjik, dita e hënë do të karakterizohet nga mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu, ndërsa në viset e larta priten reshje shiu dhe bore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 2 deri në 5 gradë Celsius, kurse ato maksimale nga 6 deri në 9 gradë.
Të martën pritet mot me vranësira të shpërndara dhe intervale me diell. Gjatë orëve të mëngjesit parashihen ngrica dhe mjegull në disa zona, ndërsa temperaturat minimale do të zbresin nga -5 deri në -3 gradë Celsius. Temperaturat maksimale do të arrijnë nga 3 deri në 6 gradë.
Edhe dita e mërkurë do të sjellë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, të cilat vende-vende mund të kushtëzojnë riga të dobëta shiu. Në mëngjes do të ketë ngrica, ndërsa temperaturat minimale pritet të zbresin nga -8 deri në -3 gradë Celsius.
Të enjten pritet rikthim i motit kryesisht të vranët, me mundësi për reshje të herëpashershme shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 5 deri në 8 gradë. Era do të fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, me shpejtësi 1–6 m/s.
