Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se vendi ka humbur dy vjet për shkak të krizave politike dhe vonesave në konstituimin e institucioneve, duke theksuar se pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula janë krijuar kushtet për rikthimin e funksionalitetit institucional.
Në një intervistë për RTK-në, Haxhiu ka thënë se krizat politike kanë lënë shumë punë dhe reforma pa u adresuar, ndërsa ka vlerësuar se marrëveshja për zgjedhjen e presidentes ka shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.
“Republika e Kosovës i ka pasur dy vite të humbura nëse e marrim shkurtin e vitit të kaluar, kur edhe patën përfunduar zgjedhjet e jashtëzakonshme (në fakt asaj kohe ishin zgjedhjet e rregullta parlamentare) pas një mandati të qeverisë në atë kohë. Dhe për dhjetë muaj nuk arritëm që ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit, rezistencë, justifikime nga ana e opozitës”, ka deklaruar Haxhiu.
Duke folur për zgjedhjen e presidentes, Haxhiu ka thënë se dërgimi i vendit në zgjedhje për shkak të kësaj çështjeje do të ishte i pajustifikueshëm.
“Unë konsideroj që ka qenë komplet e pajustifikueshme, pa asnjë arsye që ta çojmë vendin në zgjedhje për shkak të presidentit. Prandaj e vlerësoj që së fundi ne kemi arritur një marrëveshje, ndonëse në momentet e fundit dhe ndonëse jo e si me thënë dakorduar paraprakisht, por mendoj që arritëm për brenda kohës që kishim në dispozicion që ta votonim presidenten, zonjën Shiroka Pula, me një mandat pesëvjeçar”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se tashmë institucionet kanë përgjegjësi të qarta, duke kujtuar edhe periudhën kur kishte ushtruar detyrën e presidentes për gjashtë muaj.
“Ju e dini që unë kam qenë ushtruese e detyrës së presidentes për një mandat prej gjashtë muajve dhe ka qenë e paqartë, prandaj i ishim drejtuar Gjykatës Kushtetuese se cili do të jetë presidenti apo presidentja në rast se mua më përfundonte mandati”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e presidentes e ka shmangur një proces të ri zgjedhor, duke përmendur edhe vendimin e Hagës të 16 shtatorit, të cilin e ka cilësuar të padrejtë.
“Shumë punë kanë mbetur pa u adresuar, shumë reforma që na presin, por konsideroj që tani jemi në rrugë të mbarë për t’i adresuar të gjitha përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve”, ka përfunduar Haxhiu.