Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka shprehur besimin se përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet subjekteve parlamentare do të arrihet pajtueshmëria për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Çitaku nënvizon rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional në mbrojtje të të drejtave të krerëve të UÇK-së dhe të së vërtetës së luftës çlirimtare. Në këtë frymë, ajo shpreh gatishmërinë e PDK-së për të vazhduar bashkëbisedimin me të gjitha partitë politike dhe akterë tjerë relevantë, duke e cilësuar këtë angazhim si një përgjegjësi shtetërore që kërkon bashkëpunim dhe përkushtim të përbashkët.
“Ne jemi në bashkëbisedim dhe diskutime intensive me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe me subjekte të tjera politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjëja më e rëndësishme është që ka pajtueshmëri për përmbajtjen e ligjit, ndërkohë që tani kemi diskutime vetëm për procedurën. Unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mijëra të rinjtë që kanë protestuar në sheshin e Prishtinës, anekënd Kosovës e në diasporë, kudo që ka shqiptarë, se Partia Demokratike e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga ligji. Përkundrazi. Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën. Unë jam e bindur që, nëse vazhdojmë me vullnetin politik që kemi demonstruar ditën kur e kemi miratuar ligjin, do të gjejmë zgjidhje dhe ligji do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Çitaku në një intervistë për Ekonomia Online.
E pyetur për takimet me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimin aktual të këtij subjekti, Çitaku ka thënë se janë zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë të kësaj partie.
“Siç e thashë, kemi pasur jo një, por disa takime me zyrtarë të lartë dhe me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk kemi asnjë lloj dallimi për përmbajtjen e ligjit. Aty ku dallojmë është thjesht procedura, por jam e bindur që edhe në këtë pikë do të gjejmë pajtueshmëri. Ne nuk kemi hequr dorë nga ligji, sikurse jemi të vetëdijshëm që miratimi i këtij ligji nuk e përmbush detyrimin që kemi si institucione për t’u dalë në mbrojtje krerëve të UÇK-së, që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Janë edhe një varg hapash që institucionet e Republikës së Kosovës, me koordinimin që po bëhet brenda grupit strategjik, do të ndërmarrin në mënyrë që e vërteta e luftës çlirimtare të triumfojë edhe në Gjykatën e Hagës”, u shpreh Çitaku.
Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit britanik për respektimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, Çitaku ka thënë se iniciativa e PDK-së dhe ligji i miratuar më parë në Kuvend nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në procesin e drejtësisë.
“Është shumë e rëndësishme të theksohet që iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ligji, i cili më pas mori rreth 90 vota në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në asnjë formë nuk duhet të kuptohen si ndërhyrje në procesin e drejtësisë. Përkundrazi, është përpjekje serioze e institucioneve të Republikës së Kosovës për ta kthyer në binarë të drejtë një proces i cili është deformuar në plotëni në Gjykatën e Hagës. Po ua jap vetëm një element: ndërmarrja e përbashkët kriminale është një akuzë që ka rënë dy herë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Në rastin Limaj dhe në rastin Haradinaj, një akuzë e tillë e Prokurorisë ka rënë, ndërkohë që është “vërtetuar”, në thonjëza, nga një gjykatë e cila është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky është vetëm një nga deformimet e shumta, të panumërta, që e kanë përcjellë të gjithë këtë proces. Ne nuk po kërkojmë t’i shmangemi drejtësisë. Përkundrazi, po synojmë që procesin ta kthejmë në binarë të drejtë. Ne jemi të hapur për bashkëbisedim me të gjithë aleatët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, sepse, në fund të ditës, kriminalizimi i luftës çlirimtare kriminalizon edhe ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 1999”, u shpreh ajo.




