Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka matur se çfarë mendojnë qytetarët e Kosovës për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Sipas rezultateve të publikuara nga QKSS-ja, 72.1% e të anketuarve kanë qëndrim negativ ndaj Dhomave të Specializuara, ndërsa 83.5 për qind e konsiderojnë të padrejtë aktgjykimin dënues kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Gjashtë javë pas aktgjykimit të shkallës së parë në rastin Thaçi dhe të tjerët, Dhomat e Specializuara të Kosovës përballen me një opinion publik, shumica dërrmuese e të cilit nuk i pranon ato. Në anketën tonë me 1,139 respondentë në të gjitha 38 komunat e Kosovës, 72.1% kanë qëndrim negativ ndaj Dhomave të Specializuara, 83.5% e konsiderojnë të padrejtë aktgjykimin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa 81.7% e kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit të Kosovës. Tre në katër respondentë (74.0%) deklarojnë se Kosova duhet t’i shfuqizojë Dhomat e Specializuara, ndërsa 78.0% mbështesin protestat që pasuan aktgjykimin”, thuhet në komunikatën e QKSS.
Në mesin e shqiptarëve të Kosovës, kundërshtimi është edhe më i gjerë dhe më i vendosur, vlerëson QKSS, duke cituar të dhënat: “87.7% e respondentëve e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë, 88.7% e kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit dhe 80.2% mbështesin shfuqizimin e saj. Ky nuk është një qëndrim i vakët apo i pavendosur. Dy të tretat e respondentëve shqiptarë (67.0%) mbajnë qëndrim kritik në të katër këto çështje njëkohësisht, ndërsa shumica zgjedhin përgjigjen më të prerë kundrejt asaj më të moderuar”.
QKSS tha se kanë analizuar thellësisht shifrat kryesore të studimit dhe janë përpjekur të ofrojnë më shumë kontekst.
” Sipas vlerësimit tonë, dy gjetje janë veçanërisht të rëndësishme. Së pari, kundërshtimi i drejtohet kësaj gjykate dhe jo drejtësisë në përgjithësi. Të dhënat tregojnë se respondentët shqiptarë të Kosovës që kanë besim në gjykatat e Kosovës janë pothuajse po aq kritikë ndaj Dhomave të Specializuara sa ata që nuk kanë besim në to. Së dyti, kundërshtimi lidhet ngushtë me mënyrën se si njerëzit e perceptojnë luftën, por nuk varet vetëm nga ky perceptim. Në mesin e shqiptarëve të Kosovës që besojnë se katër liderët kanë zhvilluar një luftë të drejtë, 94.7% e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë. Megjithatë, edhe në mesin e grupit të vogël që nuk ndan këtë mendim, 59.4% e kundërshtojnë legjitimitetin e gjykatës për të folur në emër të popullit dhe 53.1% mbështesin shfuqizimin e saj. Me fjalë të tjera, qytetarët e Kosovës nuk po e refuzojnë thjesht llogaridhënien. Ata po kundërshtojnë një institucion të caktuar për shkak të mënyrës se si është themeluar, si funksionon, çfarë përjashton dhe çfarë kuptimi ka marrë procesi i tij gjyqësor në aspektin shoqëror dhe historik”, thotë QKSS.




