Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka pritur në takim një delegacion të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), të kryesuar nga drejtori për Europë dhe Euroazi, Stephen Nix.
PDK-ja tha se në këtë takim, Çitaku ndër tjerash ka theksuar se kjo parti “po hyn në një periudhë të rëndësishme të organizimit të brendshëm, gjatë së cilës do ta zgjedhë lidershipin e ri dhe do të përgatitet për përgjegjësitë dhe sfidat e ardhshme politike”.
“Gjatë takimit, Çitaku shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e IRI-së në forcimin e demokracisë së brendshme në PDK, si dhe në mbështetjen e zhvillimit demokratik të partive politike dhe institucioneve të Kosovës në përgjithësi. Çitaku theksoi se PDK po hyn në një periudhë të rëndësishme të organizimit të brendshëm, gjatë së cilës do ta zgjedhë lidershipin e ri dhe do të përgatitet për përgjegjësitë dhe sfidat e ardhshme politike”, thuhet në komunikatën e PDK-së.



