Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në Hessen të Gjermanisë, ku dy të rinj kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur, pasi një Mazda me tetë adoleshentë brenda u përplas me mjete të punës në një rrugë nacionale.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 13:15, në rrugën L3185, pranë Ober-Lais, pjesë e qytetit Nidda në Hessen.
Sipas policisë, në një Mazda CX-5, i cili ishte i destinuar për pesë persona, ndodheshin plot tetë adoleshentë të moshës 14 dhe 15-vjeçare.
Përplasja ka qenë frontale dhe jashtëzakonisht e fuqishme. Për pasojë, pjesa e përparme e automjetit është shkatërruar tërësisht.
Dy nga të rinjtë nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve. Një nga viktimat ishte 15-vjeçari që drejtonte automjetin, ndërsa viktima tjetër ishte një vajzë 14-vjeçare.
Adoleshentët e tjerë kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar në spitale. Sipas të dhënave të fundit të policisë, ata nuk janë në rrezik për jetën. Disa prej të lënduarve janë transportuar me helikopterë të emergjencës, shkruajnë mediat gjermane
Në aksident janë lënduar edhe dy punëtorë që ndodheshin në një kamion pune. Një 53-vjeçar ka marrë lëndime të rënda, ndërsa kolegu i tij 57-vjeçar është lënduar lehtë. Një punëtor i tretë, 28-vjeçar, ka shpëtuar pa lëndime.



