Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Gjykatës Speciale në Hagë që t’ia zgjasë deri më 18 janar 2027 afatin për dorëzimin e njoftimit për ankesë kundër aktgjykimit dhe dënimit të Thaçit më 17 muaj burg për rastin e dytë.
Kërkesa është dorëzuar më 25 nëntor 2026 nga avokatja Sophie Menegon, në emër të mbrojtjes së Thaçit, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, gjykatëses Ekaterina Trendafilova.
Aktualisht, afati për dorëzimin e njoftimit për ankesë përfundon më 17 dhjetor 2026. Mbrojtja kërkon edhe 32 ditë shtesë, duke argumentuar se ekzistojnë katër arsye kryesore që e bëjnë të nevojshme këtë shtyrje.
Arsyeja e parë që rendit mbrojtja është gjatësia dhe kompleksiteti i aktgjykimit të shpallur më 17 nëntor, i cili përmban 399 faqe.
Sipas avokatëve, aktgjykimi përfshin çështje të reja, komplekse dhe me rëndësi të veçantë juridike e faktike, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme përpara se të formulohen bazat e ankesës.
Mbrojtja thekson se një pjesë e rëndësishme e këtyre çështjeve lidhet me transkriptet e Prokurorisë Speciale, të cilat përbëjnë provat kryesore mbi të cilat janë mbështetur dënimet.
Sipas mbrojtjes, këto çështje janë trajtuar edhe përmes disa vendimeve procedurale gjatë procesit gjyqësor, të cilat nuk ishin objekt i ankesave të veçanta.
Një tjetër çështje komplekse, sipas avokatëve, është interpretimi dhe zbatimi i ligjit të Kosovës. Ata përmendin çështjet që lidhen me veprat penale, format e përgjegjësisë penale, zbatimin e tyre në rastin e tentativës sipas nenit 401(2) të Kodit Penal të Kosovës dhe zbatimin e nenit 11 të këtij Kodi.
Mbrojtja thekson gjithashtu se për herë të parë në Dhomat e Specializuara janë ngritur disa çështje lidhur me mënyrën se si duhet të ekzekutohet një dënim në raport me një dënim tjetër të shqiptuar nga një trup tjetër gjykues, si dhe mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim kur një person është mbajtur në paraburgim në dy aktakuza të ndryshme.
Këto çështje, sipas mbrojtjes, kanë rëndësi të veçantë për Thaçin për shkak të dënimit të tij edhe në rastin tjetër, të njohur si rasti 06.
Avokatët nënvizojnë se, ndonëse në rastin aktual janë pesë të akuzuar, Thaçi ka qenë në qendër të çështjes së Prokurorisë dhe aktgjykimi përmban kryesisht gjetje që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me përgjegjësinë e tij penale.
Për këtë arsye, mbrojtja thotë se duhet të analizojë pothuajse të gjitha gjetjet e aktgjykimit, përfshirë edhe veprimet, njohuritë dhe qëllimet e të bashkëakuzuarve dhe personave të tjerë që gjykata i ka konsideruar pjesë të grupeve përkatëse.
Sipas saj, çdo gabim në këto gjetje mund të ndikojë në një element thelbësor të dënimit të Thaçit.Arsyeja e dytë lidhet me procesin e apelit në rastin tjetër, ku Thaçi është dënuar për krime lufte.
Mbrojtja rikujton se më 16 shtator 2026, Thaçi u shpall fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, ndërsa u dënua me 25 vjet burgim.
Afati për dorëzimin e njoftimeve të ankesës kundër aktgjykimit në këtë rast është 27 nëntori 2026. Nëse ankesat dorëzohen në këtë datë dhe nuk ka ndryshim të afatit, parashtresat e detajuara të apelit do të duhej të dorëzoheshin deri më 26 janar 2027.
Mbrojtja thekson se avokati kryesor, bashkëavokati dhe disa anëtarë të tjerë të ekipit mbrojtës së Thaçit janë të angazhuar në të dyja rastet.
Sipas tyre, procesi i apelit në rastin 06 është veçanërisht kompleks, pasi dënimet lidhen me krime të rënda ndërkombëtare dhe me pretendimin për rolin udhëheqës të Thaçit, ndërsa aktakuza përfshin një periudhë të gjerë kohore dhe territoriale.
Për këtë arsye, mbrojtja thotë se ekipi përballet me afate të rëndësishme dhe konkurruese në të dyja rastet, të cilat kërkojnë përgatitje të kujdesshme.
Avokatët argumentojnë se dhënia e kohës së mjaftueshme është e rëndësishme edhe për faktin se mundësia për të shtuar baza të reja të ankesës në një fazë të mëvonshme është e kufizuar.


