Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku janë sekuestruar 191 ujëmatës mekanikë, me vlerë mbi 9 mijë euro.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është zbuluar të premten, më 27 nëntor, kur zyrtarët kanë identifikuar dhe ndaluar një automjet me targa të Serbisë, për të cilin dyshohet se kishte hyrë në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale malore.
Gjatë kontrollit të automjetit, i cili drejtohej nga një 38-vjeçar me shtetësi të Kosovës dhe Serbisë, janë gjetur 12 pako me gjithsej 191 ujëmatës mekanikë, të destinuar për matjen e konsumit të ujit të ftohtë.



