Jose Mourinho ka rrëfyer prapaskenat e një prej vendimeve më të rëndësishme në karrierën e tij, kur në vitin 2013 hoqi dorë nga mundësia për të marrë drejtimin e Manchester Unitedit pas largimit të Sir Alex Fergusonit.
Portugezi, i cili në atë periudhë sapo kishte përfunduar aventurën te Real Madridi, ishte një prej emrave kryesorë për të pasuar Fergusonin në stolin e “Djajve të Kuq”. Madje, sipas rrëfimit të tij, marrëveshja për të marrë drejtimin e Unitedit ishte arritur.
Megjithatë, Mourinho ndryshoi kurs dhe zgjodhi të rikthehej te Chelsea, klub që e kishte drejtuar edhe gjatë periudhës së parë në Angli.
Në dokumentarin e Netflix, trajneri portugez ka treguar se vendimi lidhej më shumë me gjendjen e tij emocionale sesa me aspektin profesional.
“Kur u largova nga Real Madridi, nënshkrova për të shkuar te Manchester Unitedi pas Sir Alexit”.
“Jam ndier shumë i privilegjuar që më ofruan mundësinë për të zëvendësuar Fergusonin, sepse Manchester Unitedi ka një tërheqje të jashtëzakonshme”.
Megjithatë, Mourinho shpjegoi se pas përfundimit të aventurës në Madrid kishte nevojë të gjente një klub ku do të ndihej i vlerësuar dhe i dashur.



