Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se NATO nuk do të mbajë samitin e radhës në Shqipëri gjatë vitit 2027, pavarësisht planeve të mëparshme për organizimin e tij në Tiranë.
Duke folur të enjten në Dublin, përpara një takimi të liderëve evropianë, Rama tha se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për kohën kur do të mbahet samiti.
“Çështja është se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të mbahet samiti. Sigurisht, jo në vitin 2027”, deklaroi Rama, sipas Reuters.
Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që Shqipëria të jetë nikoqire e samitit në vitin 2028.
“Dhe në vitin 2028, nëse do të ketë samit, ai do të mbahet në Tiranë”, shtoi kryeministri shqiptar.
Sipas Reuters, planet për organizimin e samitit të NATO-s në Shqipëri gjatë vitit 2027 kishin hyrë në pikëpyetje që në muajin qershor, për shkak të kundërshtimeve nga administrata Trump dhe pakënaqësive të disa vendeve anëtare lidhur me shpenzimet e ulëta të Shqipërisë për mbrojtjen.




