Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka paralajmëruar se punëtorët mund të hyjnë në grevë nëse menaxhmenti dhe bordi i KEK-ut nuk u përgjigjen kërkesave të tyre për rritje dhe nivelizim të pagave, si dhe për pagesën e pagës së 13-të.
I ftuar në emisionin “Gazeta”, Jashari tha se para paralajmërimit të protestës nuk kishin marrë asnjë ftesë për takim me menaxhmentin, ndërsa sipas tij, ftesa erdhi vetëm pasi protesta ishte paralajmëruar.
“Për takim me menaxhmentin nuk patëm asnjë ftesë. Posa e lajmëruam protestën për ditën e sotme, na ftuan për datën 9, me shpresën se do të arrihet diçka. Na njoftuan se do të na kontaktonin të martën, por pritëm me orë të tëra dhe nuk patëm asnjë sinjal”, deklaroi Jashari.
