Tenerife ka marrë përsipër të kujdeset financiarisht për vajzën njëvjeçare të Jesús de Miguelit deri në moshën 18-vjeçare, pas vdekjes tragjike të sulmuesit spanjoll.
De Miguel ndërroi jetë të martën e kaluar, një ditë pasi pësoi arrest kardiak pas një përplasjeje me portierin kundërshtar gjatë ndeshjes së kategorisë së dytë të futbollit spanjoll kundër Andorrës.
Ai ishte vetëm 30-vjeçar dhe la pas bashkëshorten María dhe vajzën e vogël, Carla.
Të shtunën, Tenerife organizoi një ceremoni përkujtimore për futbollistin në stadiumin “Heliodoro Rodríguez López”, ku aksionari kryesor i klubit, Rayco García, premtoi se familja e tij nuk do të mbetet pa përkrahje.
“Carla nuk do të jetë kurrë vetëm. Do të bashkohemi të gjithë për ta mbështetur deri në moshën 18-vjeçare. Do të sigurohemi që të mos i mungojë asgjë dhe që ajo të mund ta shikojë ishullin e Tenerifes gjithmonë me buzëqeshje”, deklaroi García.
Më vonë, drejtori ekzekutiv i Tenerifes, Antonio Manuel Porro Granados, dha më shumë detaje rreth këtij premtimi.
“Duam të jemi pranë saj të paktën deri në arritjen e moshës madhore. Ky është një zotim që është marrë me iniciativën e aksionarit tonë kryesor, Rayco García, dhe që të gjithë e mbështesim plotësisht”, deklaroi Granados për “The Athletic”.
“Do të ofrojmë ndihmën maksimale të mundshme në çdo aspekt, përtej asaj që jemi të obliguar të bëjmë me ligj.
Gjithashtu, po shqyrtojmë mënyra të tjera për ta rritur mbështetjen financiare, në mënyrë që rrethanat të mos ndikojnë aq shumë në jetën e tyre, të paktën nga ana materiale. Natyrisht, është e pamundur që kjo tragjedi të mos lërë pasoja”, shtoi ai.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, familja e De Miguelit do të përfitojë edhe një kompensim bazë prej rreth 360 mijë eurosh pas vdekjes së futbollistit.
Ndërkohë, sulmuesi i Herculesit, Fran Sol, i cili kishte luajtur te Tenerife gjatë sezonit 2020/21, ka nisur një fushatë të veçantë për mbledhjen e fondeve në ndihmë të familjes.
Deri të dielën, donacionet kishin kaluar shifrën e 150 mijë eurove. Në mesin e futbollistëve që kanë kontribuar në këtë fond janë edhe yjet e Kombëtares së Spanjës, Álvaro Morata dhe Álex Baena.
Edhe klubet e kategorisë së dytë, Burgos dhe Almería, kanë njoftuar se do t’ia dhurojnë familjes së De Miguelit të gjitha të hyrat nga biletat e ndeshjeve që do t’i zhvillojnë kundër Tenerifes këtë sezon.
Mbështetje për klubin kanarian kanë shprehur edhe skuadra të tjera, përfshirë Manchester Unitedin, i cili ka kontaktuar Tenerifen për të shprehur ngushëllimet pas kësaj tragjedie që ka tronditur botën e futbollit.
Në të gjitha ndeshjet e futbollit spanjoll gjatë këtij vikendi po mbahet një minutë heshtje në nderim të futbollistit. Gjithashtu, ndeshjet po ndërpriten edhe në minutën e nëntë, numrin që De Miguel mbante në fanellë.
“Jam krenar për reagimin që po shohim nga klubet e të gjitha niveleve. Shumë prej tyre na kanë kontaktuar për të na treguar iniciativat e tyre.
Për shembull, nga Burgosi na telefonuan për të na njoftuar se dëshirojnë t’ia dhurojnë familjes të gjitha të hyrat nga ndeshja kundër nesh, veçanërisht vajzës dhe trashëgimtarëve të tij.
E gjithë kjo po nxjerr në pah anën më të mirë të botës së futbollit. Edhe Manchester United na dërgoi ngushëllimet e tij dje”, përfundoi Granados.
Varrimi i De Miguelit u mbajt të enjten e kaluar në Navahermosa, më pak se dy orë në jug të Madridit. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, si dhe presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.
Në ceremoni morën pjesë edhe bashkëlojtarët e tij te Tenerife, të cilët udhëtuan nga Ishujt Kanarie për t’i dhënë lamtumirën e fundit, mes qindra personave të pranishëm.