Shehu: Pushteti i mëparshëm i AAK-së keqmenaxhoi projektet, ne e kemi ndryshuar Junikun
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë një përmbledhje të arritjeve të mandatit të tij të parë, duke krahasuar qeverisjen e tij me atë të AAK-së gjatë 12 viteve të mëparshme.
Në një postim në Facebook, Shehu ka kritikuar qeverisjen e mëparshme të AAK-së, duke thënë se gjatë 12 viteve të pushtetit të tyre në Junik, rreth 2 milion euro janë investuar për shtratin e lumit Erenik, por gjendja e lumit sot mbetet e dobët.
“Pushteti i 12 viteve në Junik është definicioni i keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të buxhetit,” ka thënë ai.
Shehu ka listuar arritjet e mandatit të tij të parë, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve lokale dhe rurale, çerdhes së parë, shkollës “Edmond Hoxha”, sigurimin e shërbimeve mjekësore 24/7 në QKMF, vendosjen e kamerave dhe sinjalizimeve, si dhe shpërndarjen e bursave dhe subvencioneve. Ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij janë realizuar mbi 11 milion euro projekte kapitale dhe se nuk ka pasur asnjë aferë apo skandal.
“Projektet tona do t’i mbijetojnë kohës sepse janë planifikuar me kujdes dhe janë ekzekutuar me profesionalizëm maksimal,” ka shkruar Shehu, duke ftuar qytetarët që më 9 nëntor të festojnë fitore me fishekzjarre, ndërsa më 10 nëntor të vazhdojnë punën për zhvillimin e Junikut gjatë mandatit të dytë.
Ai ka theksuar se transformimi i Junikut nuk mund të ndalet nga “servilët apo patericat” dhe se qeverisja e tij synon të sjellë përfitime për të gjithë qytetarët pa dallim.