LajmeZgjedhjet 2026

Ruzhdi Shehu premton investime të reja në Jasiq dhe Gjocaj gjatë mandatit të dytë

Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, i cili të dielën do të përballet në balotazh me kandidatin e AAK-së, ka thënë se fshatrat Jasiq dhe Gjocaj do të jenë prioritet i mandatit të tij të dytë, duke paralajmëruar projekte të reja infrastrukturore dhe zhvillimore.

Në një postim drejtuar banorëve të Junikut, Shehu ka kujtuar se këto dy fshatra kanë “potencial të madh” dhe një kontribut historik në lirinë e Kosovës, por sipas tij kanë qenë të “harruara për 12 vite nga pushteti i kaluar”.

Ai ka përmendur investimet e realizuara gjatë mandatit të parë, përfshirë ndërtimin e kanaleve të ujitjes, mureve mbrojtëse, asfaltimin e disa rrugëve, hapjen e rrugëve fushore, zgjerimin e shërbimit të mbeturinave, si dhe ndërtimin e urës që lidh Jasiqin me Gjocajn

Shehu premton se në mandatin e ardhshëm do të vazhdojë me shtrirjen e rrjetit elektrik, asfaltimin e rrugëve dytësore dhe kompletimin e rrjetit të ujit të pijes, në bashkëpunim me institucionet kompetente.

Ai ka theksuar se synimi është që Jasiqi dhe Gjocaj të shndërrohen jo vetëm në vende me kushte të mira jetese, por edhe në qendra turistike që do të shërbejnë si nxitës të zhvillimit për gjithë Junikun.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button