Mali i Zi mund të jetë vendi i radhës që do t’i bashkohet Bashkimit Evropian, me synimin që anëtarësimi të realizohet në vitin 2028. Ndërkohë, Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, kurse Kosova vazhdon të mbetet pa një afat konkret për avancimin e procesit të integrimit evropian.
Sipas raportimit të mediumit zviceran Watson, duke iu referuar vlerësimit të ri të Komisionit Evropian, Mali i Zi mund t’i përmbyllë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026.
Nëse përmbushen kushtet e kërkuara, marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027, ndërsa pranimi i vendit në BE mund të realizohet në vitin 2028.
Sa i përket Shqipërisë, Komisioni Evropian vlerëson se përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2027 është i mundshëm, por kjo kërkon vazhdimin e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Tirana tashmë ka hapur edhe grupkapitullin e fundit të negociatave, duke hyrë në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit.
Ndryshe paraqitet situata për Kosovën, ku procesi i integrimit evropian vazhdon të mos ketë një afat konkret për hapat e ardhshëm. Sipas raportit të Komisionit Evropian, për vendin nuk është përcaktuar ende një udhërrëfyes konkret për fazat e mëtejshme të anëtarësimit, ndryshe nga Mali i Zi dhe Shqipëria.
Për më tepër, procesi i reformave të lidhura me integrimin evropian është ngadalësuar për shkak të krizës së zgjatur institucionale.
Brukseli vlerëson se Kosova ka shënuar disa përparime, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.




