Pesë kadetë të Kosovës kanë përfunduar studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë, ndërsa pas diplomimit do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve, e cila është mbajtur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin.
Sipas Maqedoncit, në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësues ushtarakë të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Gjermanisë.
Ministri ka bërë të ditur se Xheto Kelmendi është diplomuar në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nika në logjistikë, Gentri Azemi në IT ushtarake, ndërsa Lavdim Sylejmani dhe Betim Elshani në polici ushtarake.




