Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me të cilin ka diskutuar për Raportin e Komisionit Evropian, procesin e reformave dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Pas takimit, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e angazhimit institucional për përshpejtimin e reformave dhe adresimin e ngecjeve të evidentuara në raportet e institucioneve evropiane.
“Tani që Kuvendi i është kthyer punës, kemi mundësinë t’i japim një ritëm të ri reformave dhe të shënojmë përparim në fushat ku janë evidentuar ngecje”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit i është kushtuar Agjendës së Reformave, Planit të Rritjes dhe përmbushjes së detyrimeve brenda afateve të përcaktuara, si dhe shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.




