Pas 27 vjetësh pritjeje dhe pasigurie për fatin e vëllait të saj, motra e doktor Adem Ademit ka treguar se kishte qenë e bindur që ai ndodhej në Kalludër të Zubin Potokut, sapo kishin nisur gërmimet dhe ishin zbuluar mbetjet e para mortore.
Duke folur në RTVDukagjini, ajo ka treguar se dyshimi për këtë lokacion ishte krijuar nga informacionet se aty ishte parë për herë të fundit grupi i intelektualëve, në mesin e të cilëve edhe vëllai i saj.
Ajo ka thënë se kur kishin nisur gërmimet në këtë zonë dhe kishin filluar të zbuloheshin mbetjet mortore, ishte bindur se aty ndodhej edhe vëllai i saj.
“Mirëpo, kur kanë filluar të gjenden mbetjet mortore aty, kam dyshuar dhe e binda veten që aty duhet me qenë vëllai”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka treguar se familja kishte ruajtur shpresat për vite me radhë se Ademi mund të ishte gjallë dhe i burgosur në Serbi, por këto shpresa ishin zbehur pas lirimit dhe kthimit në Kosovë të të burgosurve shqiptarë, në mesin e të cilëve nuk ishte edhe emri i tij.


