Ekonomistë e analistë kanë paralajmëruar se bllokada politike dhe vonesat në certifikimin e rezultateve zgjedhore po i shkaktojnë Kosovës humbje të mëdha financiare dhe po e mbajnë jashtë përfitimit nga fondet e Bashkimit Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ata kanë theksuar se situata aktuale është e paprecedentë dhe po vonon agjendën integruese të Kosovës, duke krijuar hapësirë për ndikime gjeopolitike që, sipas tyre, janë në kundërshtim me interesat euroatlantike të vendit.
Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, ka thënë për Ekonomia Online se vonesat në formimin e institucioneve të reja dhe procedimin e marrëveshjeve në Kuvend mund t’i shkaktojnë Kosovës humbje serioze ekonomike dhe investuese, duke theksuar se vendi tashmë ka pasur pasoja nga situata e ngjashme vitin e kaluar.
“Ne veç kemi një përvojë jo të mirë prej vitit të kaluar dhe një pjesë fatkeqësisht është humbë. Neve nëse nuk tregohemi vigjilentë dhe që t’i krijojmë institucionet konform, në përputhje me afatet edhe kushtet ligjore dhe kushtetuese, atëherë vërtet vendi do të rrezikojë humbje të shumë. dhe jo vetëm aq po ka edhe shumë procese të tjera që duhet të ndodhin në vendin tonë. Ju e dini edhe miratimi i buxhetit dhe shumë shumë veprime të tjera që duhet të ndërmerren. Mirë tash jemi në një fazë kur kemi procesin e parashtrimit të ankesave nga palët që mund të ankohen e kështu me radhë, ju e dini që zgjati pak pjesa e rinumërimit të votave. Megjithatë mund të përgjigjem, mund të them që po, do të thotë një vonesë e tillë mund të shkaktojë edhe dëme të tjera”, tha ai.
Ujkani theksoi se marrëveshjet ndërkombëtare duhet të procedohen sa më shpejt në Kuvend, pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve.
“Dëgjoni, sa i përket marrëveshjeve ato duhet të procedohen sa më shpejt që të jetë e mundur për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe unë pres që aty nuk do të ketë pozitë dhe opozitë sepse ato i duhen vendit, i duhen shoqërisë sonë, ekonomisë sonë e kështu me radhë, i duhen proceseve integruese të vendit tonë kështu. Ndërsa veprimet e tjera natyrisht qeveria duhet të veprojë në momentin e parë që është në do të thotë që të votohet, ta marrë mandatin e plotë nga Kuvendi, të ecë përpara që ato t’i procedojë sa më shpejt. Pra t’i bëjë përgatitjet konkrete për Kuvendin e Kosovës dhe të ecë tutje. Nëse s’gaboj ju kujtohet në legjislaturën e fundit ka pasë një numër të madh të marrëveshjeve që kanë qenë gati për t’u proceduar në Kuvend por fatkeqësisht ndodhi ajo që ndodhi edhe para zgjedhjeve të vitit 2025 në këtë shkurt, nuk mbërrijnë për t’u votu. Por që natyrisht kjo është një punë që duhet të kryhet dhe unë besoj me një punë, me një si me thanë, me një qasje shumë të shpejtë dhe pragmatike të mbyllen sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Në anën tjetër, analisti politik Afrim Kasolli vlerësoi se situata aktuale është vetëm një nga episodet e humbjeve ndërkombëtare që Kosova po pëson për shkak të bllokadës politike.
