Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhënë sqarime në Kuvend lidhur me mungesën e barit palbociclib në Klinikën e Onkologjisë gjatë vitit 2026, duke thënë se kjo situatë erdhi si pasojë e rritjes së kërkesave për këtë medikament dhe problemeve në procedurat e prokurimit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së PDK-së, Sala Jashari, gjatë interpelancës për vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, Vitia tha se palbociclib ishte përfshirë për herë të parë në Listën e Barnave Esenciale në vitin 2025.
Sipas ministrit, planifikimi fillestar ishte bërë për 40 pacientë, por pas përfshirjes së barit në listë, kërkesat u rritën, pasi edhe pacientët që më parë e siguronin atë privatisht filluan ta merrnin përmes Klinikës së Onkologjisë.
“Duke qenë medikamenti i sapofutur në listë, planifikimi është bërë sipas kërkesave që kanë qenë në Klinikën e Onkologjisë deri në atë kohë. Në bazë të këtij planifikimi, është bërë planifikimi për 40 pacientë”, deklaroi Vitia.
Ai bëri të ditur se kontrata e parë për furnizimin me këtë medikament ishte nënshkruar më 17 korrik 2025, ndërsa furnizimi i parë kishte arritur në barnatoren qendrore në Çekukë në mesin e gushtit të po atij viti.
Megjithatë, sipas tij, kërkesat e pacientëve u rritën ndjeshëm, duke bërë që kontrata të shpenzohej më shpejt sesa ishte paraparë.
Vitia përmendi edhe mungesën e miratimit të buxhetit dhe zhvillimet politike si faktorë që, sipas tij, ndikuan në pamundësinë e hapjes së një procedure të re tenderike në kohën e duhur.
Ai tha se kontrata ekzistuese ishte shpenzuar në masën 130 për qind brenda vetëm nëntë muajve.
“Për shkak të dyfishimit të pacientëve që kanë kërkuar këtë bar, ajo që ishte planifikuar që për një vit të shpenzohej për 100 për qind, ka rezultuar me shpenzim prej 130 për qind për vetëm nëntë muaj”, tha ministri.




