Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, ka kritikuar gjendjen në sistemin shëndetësor në Kosovë, gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës.
Reshitaj ka ngritur një sërë shqetësimesh për shëndetësinë, duke përmendur mungesën e barnave onkologjike, listat e gjata të pritjes, mungesën e materialeve për operacione dhe dobësitë në kujdesin parësor.
“Qeveria nuk mund të masë suksesin me fotografi të objekteve të rinovuara, me aparatura para kamerave apo edhe konferenca për investime. Suksesi matet te pacienti, te qytetari që ka nevojë për mjekë, diagnozë, për terapi të duhur dhe në kohën e duhur. Sot dobësitë shtrihen pothuajse në çdo hallkë të sistemit shëndetësor, nga qendrat e mjekësisë familjare, te spitalet rajonale e deri te QKUK-ja.”, ka deklaruar Reshitaj.
Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë nuk mund të flasë për reforma të qëndrueshme përderisa baza e sistemit vazhdon të jetë e dobët.
Reshitaj ka kritikuar edhe mungesën e angazhimit për specializantët në këtë fushë, duke thënë se specializimi në mjekësinë familjare mund të zgjasë katër deri në shtatë vjet.
“Ministria nuk mund të flasë për reforma të qëndrueshme, kur baza e sistemit vazhdon të jetë e dobët. Qytetari që nesër mund të jetë pacient me një sëmundje malinje, takimin e parë e ka me mjekun familjar, prandaj kujdesi parësor shëndetësor është themeli i shëndetësisë. Por mungesa e angazhimit serioz dëshmohet edhe në rastin e specializantëve, të cilëve, ndonëse krijohen kushte dhe mundësi për specializimin në mjekësi familjare, u duhen katër apo shtatë vjet. Kjo tregon për mosmotivimin e kësaj qeverie që mjekët tanë ta zgjedhin këtë specializim shumë të rëndësishëm.”
Deputetja e LDK-së ka ngritur shqetësimin edhe për numrin e pacientëve në listat e pritjes në QKUK.
Ajo ka deklaruar se në fund të vitit 2026, në 16 klinika të QKUK-së, ishin 12 mijë e 19 pacientë në pritje për trajtim.
Reshitaj ka thënë se pritjet e stërzgjatura po ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve.
“Në fund të vitit 2026, vetëm në 16 klinika të QKUK-së, 12 mijë e 19 pacientë ishin në listat e pritjes dhe, siç e dini, vazhdojnë deklaratat e mjekëve të cilët thonë se për shkak të pritjeve të stërzgjatura, pacientëve po u përkeqësohet gjendja shëndetësore. Kush mori deri sot përgjegjësi që kanë pritur me muaj e vite të tëra për një trajtim shëndetësor?”.
Reshitaj ka përmendur edhe raportimet e prillit të këtij viti, sipas të cilave pacientëve në QKUK u ishte kërkuar të blinin vetë materialet për operacione.

