Në përfundim të mandatit të tij të dytë në Kosovë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka deklaruar se situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm, por sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme.
Ai ka bërë të ditur se NATO-ja ka nisur përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it, proces që mund të kthehet mbrapsht nëse situata përkeqësohet. Duke folur për urën e Ibrit, Ulutash ka theksuar se KFOR-i nuk ka mandat të vendosë për hapjen e saj, ndërsa ka nënvizuar se rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm është politike dhe jo ushtarake.
” Së pari: kalimi gradual i pranisë së përhershme të KFOR‑it në urën e Ibrit është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit që kam përmendur më herët dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë. Ky tranzicion bazohet në kushte dhe realizohet në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX‑in dhe hisedarët tjerë përkatës. KFOR‑i do të vazhdojë të mbajë një prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës dhe në të gjithë pjesën veriore të Kosovës. Ne mbetemi të gatshëm të reagojmë ndaj zhvillimeve përkatëse të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB‑së. Së dyti: KFOR‑i nuk ka mandat të përcaktojë nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo çështje i takon Bashkimit Evropian dhe institucioneve përkatëse në Kosovë, pasi KFOR‑i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”, ka thënë Ulutash për Telegrafin.




