Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se për Lëvizjen Vetëvendosje një koalicion me PDK-në është i pamundur, duke pretenduar se brenda këtij subjekti politik ka figura që luajnë rolin kryesor në prapaskenë.
Edhe pse nuk e përmendi asnjë person me emër, Haxhiu lëshoi akuza indirekte se në partinë që udhëhiqet nga Bedri Hamza ka figura me fuqi dhe ndikim të madh. Madje, ajo pretendon se këta persona kanë probleme me ligjin dhe se pasuria e tyre ngre pikëpyetje.
“Duhet me ditë kush e udhëheq PDK-në. Sepse ka figura aty që kanë fuqi dhe pushtet dhe që mendoj që kanë probleme me ligjin dhe pasurinë që e kanë krijuar. Ka përpjekje që me lujtë rolin e liderit figura të tjera që formalisht nuk janë kryetar. Kjo nuk është një gjë që nuk dihet në opinion”, deklaroi Haxhiu në “Debat Plus”
Kur gazetari Ermal Panduri e pyeti me ironi ushtruesen e detyrës së presidentes nëse kjo do të nënkuptonte se, nëse “Sami Lushtaku nuk do të ishte pjesë e PDK-së, atëherë Vetëvendosje do të mund të bënte koalicion me këtë parti, ajo qeshi dhe tha këtë përgjigje: “Uroj që Ligji për Byronë të hyjë në fuqi shumë shpejt dhe pasttaj secili do të japë llogari për pasurinë që e ka krijuar”.
Lidhur me këtë, Klankosova.tv e ka kontaktuar kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku i cili deklaratat e Albulena Haxhiut i sheh si ndërhyrje në punët e brendshme të partisë.




