Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se nuk e sheh të nevojshëm një koalicion qeverisës me këtë parti.
E ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haxhiu tha se me PDK-në mund të ketë bashkëpunim për çështje të caktuara, por jo partneritet në qeverisje.
“Për të pasur një qëndrim unifikues me 16 shtatorin, nuk na duhet një koalicion i përbashkët. Na duhen veprime të përbashkëta, unifikim për secilin veprim që kemi përpara, kontribut nga secila palë”, tha Haxhiu.
Ajo tha se ka respekt për kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, por sipas saj, në diskutimet për presidentin ka edhe figura të tjera me ndikim, të cilat, siç u shpreh, kanë më shumë impakt dhe e luajnë rolin e liderit.
Haxhiu tha se nuk e sheh PDK-në si partner në një qeveri të përbashkët.
“Por nuk e shoh që na duhet një koalicion me PDK-në, jo në këtë periudhë. Kjo lidhet me vendimin, por me qëndrimin tonë me PDK-në. Mundemi të bashkëpunojmë në raport me kundërshtimin e vendimit të 16 shtatorit, të padrejtë. Mirëpo nuk i shoh si partner në qeverisje. Ky është qëndrimi personal”, u shpreh ajo.




