Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Billings në Montana të SHBA-së, ku një 44-vjeçar dyshohet se vrau tetë anëtarë të familjes së tij, përfshirë katër fëmijë, dhe më pas i vuri flakën shtëpisë.
Policia kishte marrë një njoftim për të shtëna dhe, pas mbërritjes në vendngjarje, dëgjoi të shtëna që vinin nga pjesa e pasme e banesës. Pak më vonë, shtëpia u përfshi nga zjarri.
I dyshuari, Alan Smith, kishte jetuar me prindërit e tij në këtë banesë, por familjarët thanë se ata i kishin kërkuar të largohej disa javë më parë. Sipas raportimeve, ai ishte kthyer të dielën, në kohën kur familja ishte mbledhur për darkën e përjavshme.
Mes viktimave ishin prindërit e Smith, gjyshja, motra e tij, si dhe Megan Ghekiere dhe katër fëmijët e saj.
Viktimat i përkisnin katër brezave të së njëjtës familje. Më e moshuara ishte një stërgjyshe në të 90-at, ndërsa viktima më e re ishte një vajzë vetëm shtatëvjeçare.
Sipas autoriteteve, Smith kishte qëlluar edhe veten. Zjarri e kishte shkatërruar plotësisht banesën, duke vështirësuar punën e hetuesve.
Viktimat janë identifikuar si Oëen Ireland, 13 vjeç, Chloe Ireland, 7 vjeç, Landon Ghekiere, 15 vjeç dhe Charlotte Ghekiere, 12 vjeç.




